Presidentja e FNK-së, znj. Rita Zeqiri, mori pjesë në ngjarjen zyrtare të lansimit të Transparency Index në Bruksel. Paneli diskutues u udhëhoq nga Antonio Silva, President i European Aquatics, dhe mblodhi figura kyçe nga bota evropiane e sportit, përfshirë sekretaren e përgjithshëm të Federatës Belge të Notit, sekretaren e Federatës së Luksemburgut dhe kryetarin e Federatës së Notit të Faroe Islands, si dhe përfaqësues të organizatave të integritetit sportiv si SIGA.
Ky indeks, i cili është zhvilluar nga SIGA Europe me mbështetjen e Komisionit Evropian, është një mjet i ri dhe objektiv për vlerësimin e nivelit të transparencës së federatave sportive, përmes 15 indikatorëve publikë që lidhen me organizimin, funksionimin dhe financat.
Në këtë panel, znj. Zeqiri paraqiti përkushtimin dhe hapat e FNK-së për zhvillim dhe implementim të qëndrueshëm të të gjitha indikatorëve.
Pjesëmarrja e znj. Zeqiri në këtë forum ndërkombëtar rrit imazhin e FNK-së dhe ishte një hap i rëndësishëm për të forcuar rolin e Kosovës në arenën evropiane të sportit dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me organizata që ndajnë të njëjtat vlera.
