Me mbështetjen e Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federata e Notit të Kosovës (FNK) organizoi me sukses seminarin “Gjithëpërfshirja në Edukimin Fizik”, një aktivitet kyç në kuadër të planit të saj për inkuadrimin e personave me nevoja të veçanta në sport. Ky seminar synoi të rrisë ndërgjegjësimin dhe aftësitë e trajnerëve, mësimdhënësve dhe profesionistëve të fushës për të krijuar një mjedis sa më të qasshëm dhe gjithëpërfshirës në edukimin fizik dhe aktivitetet sportive.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin njohuri të vlefshme nga ligjëruesit e fushës Ahmet Mahmutaj, Enver Ulaj dhe Arbër Grabovci, të cilët ndanë me ne informata thelbësore teorike dhe praktike mbi metodologjinë e punës me persona me nevoja të veçanta. FNK shpreh mirënjohjen më të thellë për angazhimin dhe profesionalizmin e ligjëruesve, të cilët dhanë kontribut të çmuar në këtë proces edukativ.
Epilogu i këtij seminari do të ketë ndikim konkret dhe afatgjatë në zhvillimin e sportit gjithëpërfshirës në Kosovë. Si rezultat, FNK do të:
Hartojë një udhëzues për punën me persona me nevoja të veçanta, i cili do të shërbejë si referencë për klubet dhe trajnerët.
Përgatisë një formular regjistrimi, që do të shpërndahet tek klubet e notit, duke mundësuar identifikimin dhe përfshirjen më të lehtë të këtyre sportistëve në programet e FNK-së.
Certifikojë kuadro profesionale, të cilët në të ardhmen do të kontraktohen nga FNK për të udhëhequr dhe zbatuar aktivitetet kushtuar personave me nevoja të veçanta.
Ky seminar është vetëm një hap i parë në rrugëtimin e FNK-së drejt një sporti më të hapur dhe të qasshëm për të gjithë. Me angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit sportiv, trajnerëve dhe institucioneve, do të mundësojmë që çdo individ, pavarësisht sfidave, të ketë mundësinë të përjetojë përfitimet e jashtëzakonshme të notit dhe aktiviteteve fizike.
Linku per fotot :



